E Diel, 1 Nëntor 2026

KLSH: Mbi 90% e rekomandimeve të pranuara nga institucionet, auditime për menaxhimin e fondeve publike

TIRANË, 8 korrik /ATSH/Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka vijuar përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara nga Kuvendi përmes rezolutës vjetore 2025, duke adresuar pjesën më të madhe të rekomandimeve për forcimin e kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies institucionale.

Gjatë shqyrtimit të projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025”, kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, bëri të ditur se ecuria e zbatimit të rekomandimeve është në nivele të larta, me mbi 85-90% të masave të realizuara ose në proces zbatimi.

Shehu deklaroi se në zbatim të rekomandimeve të Kuvendit për kontrollin e kontratave koncesionare me interes publik, KLSH po kryen tre auditime të rëndësishme, që lidhen me kontratën Thumanë–Kashar, koncesionet në shëndetësi për barnat mjekësore, check-up dhe shërbimet e ndërhyrjeve kirurgjikale.

“Në këtë kontekst, për forcimin e vlerësimit të dëmit është rishikuar manuali i përputhshmërisë për përllogaritjen e dëmit, si dhe trajtimi i dëmeve dhe efekteve të tyre në buxhetin e shtetit”, u shpreh Shehu.

KLSH ka vijuar gjithashtu forcimin e transparencës përmes publikimit të raporteve përfundimtare të auditimeve dhe informimit të publikut mbi gjetjet dhe rekomandimet e adresuara ndaj institucioneve publike.

Sipas Shehut, institucioni disponon një bazë të dhënash për dëmet e konstatuara dhe po punohet për krijimin e një aplikacioni të dedikuar për përpunimin e të dhënave, me synim përmirësimin e cilësisë së auditimit sipas praktikave të Bashkimit Europian.

Në kuadër të rritjes së standardeve profesionale, KLSH ka nisur bashkëpunimin me institucionet norvegjeze për përmirësimin e manualeve të auditimit të performancës. Pas takimeve të zhvilluara, ka nisur puna për hartimin dhe përafrimin e praktikave të reja të auditimit.

Gjatë vitit 2025, puna audituese e KLSH-së është fokusuar edhe në çështje me ndikim të drejtpërdrejtë publik, si menaxhimi i ujërave urbane, me vëmendje të veçantë te Liqeni i Tiranës, Lumi Lana dhe cilësia e ujërave detare. Auditimet kanë evidentuar edhe mungesën e impianteve të përpunimit të ujërave të ndotura në disa zona bregdetare.

Gjithashtu, KLSH ka kryer auditime për digat e vendit, ndërsa për herë të parë këtë vit ka nisur auditime për kontrollin e veprave të energjisë së rinovueshme, përfshirë hidrocentralet dhe parqet fotovoltaike, si dhe për efektivitetin e komisioneve të vlerësimit të aftësisë për punë (KEMP).

Aktualisht, sipas Shehut, KLSH po zhvillon auditime në fusha si hapësirat urbane dhe pyjet, me qëllim vlerësimin e menaxhimit të pasurive publike dhe zbatimit të legjislacionit.

Kryetari i KLSH-së theksoi se procesi i auditimeve përfundon me rekomandime ndaj institucioneve përgjegjëse, ndërsa niveli i pranimit të rekomandimeve të dhëna nga KLSH është mbi 90%, çka sipas tij tregon për bashkëpunimin institucional dhe punën e kryer nga audituesit.

Sa i përket problematikave në fushën e kadastrës, Shehu nënvizoi se KLSH do të vijojë të kryejë detyrën e tij ligjore, me synim që institucionet të reflektojnë mbi gjetjet dhe të përmirësojnë mënyrën e administrimit të fondeve dhe pasurive publike.

/e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›