E Premte, 6 Nëntor 2026

KMD kërkon 13 milionë lekë për sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve dhe rritje të stafit në 49 punonjës - ATSH -

TIRANË, 5 nëntor /ATSH/ Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) ka kërkuar një shtesë prej 13 milionë lekësh për ndërtimin e sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve, si dhe rritjen e numrit të punonjësve nga 34 në 49, në kuadër të diskutimeve për projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”.

Gjatë seancës dëgjimore në Kuvend, në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, komisionerja Genta Tafa Bungo bëri të ditur se termat e referencës për sistemin e menaxhimit të çështjeve janë duke u përgatitur përmes një projekti, ndërsa vijimi i ndërtimit të tij do të mundësohet pas alokimit të fondeve nga Ministria e Financave.

“Një nga kërkesat për ndërtimin e sistemit për menaxhimin e çështjeve është një shtesë prej 13 milionë lekësh për sistemin elektronik”, u shpreh Bungo.

KMD ka kërkuar gjithashtu shtimin e kapaciteteve njerëzore për t’iu përshtatur direktivave të Bashkimit Europian të vitit 2024, konkretisht direktivave 1499 dhe 1500, me synim forcimin e kapaciteteve institucionale. Sipas kërkesës, numri i punonjësve parashikohet të rritet nga 34 në 49, me fokus në Drejtorinë e Hetimit Administrativ, Drejtorinë Juridike dhe Drejtorinë e Raportimit dhe Monitorimit të Çështjeve.

Një tjetër problematikë e ngritur nga Komisionerja lidhet me godinën ku ushtron aktivitetin institucioni. Bungo bëri të ditur se “KMD ndodhet në një situatë të vështirë për shkak të vendimeve gjyqësore në favor të pronarëve dhe kërkesave për pagesën e qirasë për vitet e kaluara”.

“Rritja e numrit të punonjësve do ta vështirësonte më tej akomodimin e institucionit, ndaj ajo theksoi nevojën për gjetjen e një mekanizmi për sigurimin e një godine të përshtatshme”, shtoi Bungo.

Sipas Bungos, ambientet e reja duhet të jenë pranë qendrës dhe lehtësisht të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara dhe grupet vulnerabël, të cilët mund të kenë vështirësi në udhëtim. Këto kushte, nënvizoi ajo, janë të domosdoshme për organizimin dhe funksionimin e duhur të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

/a.f/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›