KOKSH: Skandal gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të mundjes

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) bëri të ditur sot se, sporti i mundjes është përfshirë në një skandal të vërtetë gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve në Kampionatin Europian të zhvilluar në Bratislavë të Sllovakisë.
Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zv.presidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së Artë për Chermen Valiev, si Kampion Europe për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa i vendoste në qafë medaljen dhe më pas duke e shtyrë me duar, thekson KOKSH.
Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala ‘tradhëtar’ për Chermen Valiev, që ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë, bën të ditur KOKSH.
Shqipëria arriti të fitojë dje dy medalje në Kampionatin Evropian të Mundjes që po zhvillohet në Bratislavë të Sllovakisë.
Mundësi i Shqipërisë, Chermen Valiev është shpallur kampion i Europës, në peshën deri në 74 kg. Sportisti kuqezi mposhti në finale rusin Sidakov, me rezultatin 4-2. Ky sukses i Valiev vjen pas medaljes së bronztë në Olimpiadën e Parisit.
Po ashtu medalje ka fituar dhe mundësi tjetër i Shqipërisë, Zelimkhan Abakarov. Ai fitoi medaljen e bronzit. Në peshën deri 61 kg, Abakarov triumfoi në finalen për vendin e tretë ndaj moldavit Colesnic, me një fitore të pastër 11-0. /j.p/