KOMENT – BE mes dialogut dhe përçarjes për qasjen ndaj Rusisë

BRUKSEL, 19 qershor /ATSH-DPA/- Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë shfaqur qëndrime të kundërta, lidhur me përpjekjen e presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, për të hapur kanale diplomatike me Rusinë, në funksion të negociatave të mundshme për paqe.
Burime të qeverisë gjermane e cilësuan nismën si një “fyerje”, pas diskutimeve të zhvilluara gjatë samitit të BE-së dje në mbrëmje, në Bruksel. Sipas tyre, veprimi ishte “i pakoordinuar” dhe “joprofesional”.
Disa liderë evropianë paralajmëruan se nuk është ende koha e duhur për angazhim me Moskën, ndërsa të tjerë e mirëpritën përpjekjen për rivendosjen e komunikimit.
“Deri tani nuk kemi parë ndonjë gatishmëri reale nga ana e Putinit për të hyrë në negociata serioze. Gjithçka nis pikërisht nga kjo”, tha kryeministri holandez, Rob Jetten.
Nga ana tjetër, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez theksoi se Spanja mbetet e gatshme, të mbështesë çdo përpjekje, që mund të çojë drejt paqes dhe përfundimit të luftës në Ukrainë.
Një qëndrim të ngjashëm shprehu edhe kancelari austriak, Christian Stocker, i cili tha se dialogu dhe hapja e kanaleve të komunikimit janë thelbësore, pasi “çdo paqe fillon me dialog”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i pranishëm në samit – si i ftuar – deklaroi se nuk kishte shumë informacion mbi kontaktet diplomatike të zhvilluara.
Kontakte të kufizuara me Moskën
Një zyrtar i BE-së konfirmoi raportimet mediatike se javët e fundit janë zhvilluar kontakte të shkurtra, në nivel diplomatik, për të krijuar kanale komunikimi me Moskën, por pa bisedime konkrete apo negociata për çështje thelbësore.
Marrëdhëniet diplomatike mes Brukselit dhe Moskës, janë përkeqësuar ndjeshëm që nga pushtimi rus i pjesëve të Ukrainës në vitin 2014, dhe janë ngrirë pothuajse plotësisht pas nisjes së agresionit të plotë rus, në vitin 2022.
Sipas zyrtarit evropian, synimi ishte që BE-ja të jetë e përgatitur, për të mbrojtur interesat e saj, kur të krijohen kushtet e duhura për dialog.
“Bëhet fjalë për kontakte të shkurtra – thjesht diplomatë që kryejnë punën e tyre diplomatike”, tha ai.
Zyrtari shtoi se elementi më i rëndësishëm, është që vendet evropiane të mbeten të koordinuara, në mënyrën se si do të angazhohen me Rusinë, dhe në përcaktimin e pozicionit të përbashkët të BE-së.
Disa liderë evropianë theksuan gjithashtu, se Costa është përfaqësuesi natyror i interesave të Bashkimit Evropian.
BE-ja kërkon rol kyç në negociatat e ardhshme
Në deklaratën e përbashkët të samitit, liderët e BE-së shprehën mbështetjen për përpjekjet diplomatike që synojnë t’i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, dhe nënvizuan gatishmërinë e bllokut, për të forcuar angazhimin e tij në këtë drejtim.
“Evropa ka një rol kyç për të luajtur, në çdo zgjidhje të ardhshme dhe është e gatshme të mbrojë interesat e saj”, thuhet në deklaratë.
Liderët e BE-së i bënë thirrje Rusisë të tregojë “vullnet të sinqertë për paqe”, të pranojë një armëpushim të plotë, të pakushtëzuar dhe të menjëhershëm, si dhe të angazhohet në negociata kuptimplota, për një paqe të drejtë dhe afatgjatë.
Mbështetje e re për Ukrainën
Gjatë samitit, Zelensky informoi liderët evropianë për situatën në frontin e luftës. Kjo ishte vizita e tij e parë, në Bruksel që nga largimi nga pushteti i ish-kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, një nga kundërshtarët më të zëshëm të Kievit brenda BE-së.
Që prej heqjes së vetove hungareze ndaj disa iniciativave evropiane, Ukraina ka përfituar një valë të re mbështetjeje, përfshirë hapjen e negociatave formale për anëtarësim dhe miratimin e një kredie prej 90 miliardë eurosh për Kievin.
Të 27 liderët e BE-së miratuan gjithashtu, për herë të parë pas më shumë se një viti një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Ukrainës dhe ranë dakord të zgjasin sanksionet ekonomike ndaj Rusisë me 12 muaj, në vend të gjashtë muajve si më parë.
Në pjesën ekonomike të samitit, liderët diskutuan sfidat kryesore të BE-së, përfshirë rënien e konkurrueshmërisë së bllokut dhe marrëdhëniet e ndërlikuara tregtare me Kinën.
Vëmendja e liderëve do të përqendrohet sot te buxheti afatgjatë i BE-së për periudhën 2028–2034, vlera e të cilit pritet të luhatet mes 1 dhe 2 trilionë eurove. //a.i/