E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – BE shpenzoi më pak për naftë amerikane pas marrëveshjes tregtare prej 750 miliardë dollarësh me Trump

NJU JORK, 24 dhjetor /ATSH/ – BE-ja ka shpenzuar 7% më pak për naftë dhe gaz nga SHBA-ja gjatë katër muajve të fundit, pavarësisht angazhimit politik për të blerë 750 miliardë dollarë gaz amerikan deri në vitin 2028, sipas “Financial Times”.

Edhe pse BE-ja ka rritur vëllimet e gazit natyror të lëngshëm (LNG) të importuar nga SHBA-ja pas marrëveshjes tregtare të arritur me administratën Trump në gusht, rënia e çmimeve globale të energjisë ka ulur vlerën totale të importeve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas vlerësimeve të konsulencës energjetike “Kpler”, importet europiane të LNG-së dhe naftës amerikane për periudhën shtator–dhjetor arritën në 29,6 miliardë dollarë.

Gillian Boccara, drejtoreshë e lartë në “Kpler”, tha se marrëveshja tregtare, e cila nuk është ligjërisht detyruese, nuk ka ndikuar realisht në rritjen e blerjeve të gazit amerikan.

Sipas saj, tregtia e mallrave energjetike udhëhiqet nga faktorë ekonomikë si kostot e transportit dhe marzhet, dhe jo nga premtime politike.

“Angazhimi për blerje është jorealist”, theksoi ajo, duke shtuar se shifrat thjesht nuk përputheshin me realitetin e tregut.

Në baza vjetore, importet e gazit amerikanga nga BE-ja arrijnë në 73,7 miliardë dollarë, shumë më pak se një e treta e shumës së nevojshme për të përmbushur objektivin prej 750 miliardë dollarësh për periudhën 2026–2028.

Produktet e energjisë bërthamore, përfshirë uraniumin, përbëjnë më pak se 1% të tregtisë energjetike BE–SHBA.

Edhe nëse BE do të zëvendësonte plotësisht gazin rus me LNG amerikan, ajo do të importonte rreth 29 miliardë dollarë në vit, ose vetëm 23% të vlerës së kërkuar nga marrëveshja, sipas “Argus Media”.

Për të arritur objektivin financiar, çmimet e gazit do të duhej të katërfishoheshin në 37,3 dollarë për milion BTU (njësi termike) deri në vitin 2028, një skenar që bie ndesh me pritshmëritë e tregut.

Aktualisht, kontratat për vitin 2028 tregtohen rreth 8,2 dollarë për MMBTU (njësi termike metrike), ndërsa çmimet e fundit të këtij niveli janë regjistruar vetëm gjatë krizës energjetike të vitit 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se mungesa e infrastrukturës, si kapacitetet e magazinimit dhe të rigazifikimit në Europë, apo kapacitetet eksportuese në SHBA, e bën pothuajse të pamundur një zgjerim të shpejtë të tregtisë energjetike mes dy palëve.

Sipas “Argus Media” – kompania e pavarur e inteligjencës së vlerësimeve të çmimeve për tregjet globale të energjisë dhe mallrave, duke përfshirë naftën, gazin, energjinë elektrike, metalet, bujqësinë dhe kimikate – BE-ja do të duhet të rrisë kapacitetet e saj të importit me mbi 50%, ndërsa SHBA-ja do të duhet të dyfishojë kapacitetet e eksportit, për të respektuar marrëveshjen.

Një ish-eurodeputet me përvojë të gjatë në politikat energjetike tha se marrëveshja duket më shumë si një strategji për të fituar kohë dhe për të shmangur një përplasje të drejtpërdrejtë tregtare me Shtëpinë e Bardhë, sesa si një plan ekonomik i realizueshëm.

Nga ana tjetër, Komisioni Europian deklaroi se ka blerë rreth 200 miliardë euro gaz amerikan gjatë 11 muajve të parë të vitit 2025, duke rritur ndjeshëm importet e LNG-së.

Komisioni pret të blejë 70 miliardë metra kub LNG amerikan në vitin 2025, nga 45 miliardë një vit më parë, dhe njoftoi nënshkrimin e të paktën nëntë kontratave afatgjata të reja këtë vit.

Megjithatë, mbetet e paqartë se sa nga këto marrëveshje përfshihen realisht në shifrat totale, të cilat përfshijnë edhe një kontratë polake prej 42 miliardë eurosh për ndërtimin e tre reaktorëve bërthamorë nga kompania amerikane “Westinghouse”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›