KOPENHAGË – Kallas: Putini do të shmangë takimin me Zelensky

KOPENHAGË, 13 maj /ATSH-DPA/- Nuk besoj se Rusia është vërtet e interesuar në negociatat e paqes me Ukrainën, pavarësisht propozimit të fundit për bisedime në Turqi, tha sot shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“Ata ende po bombardojnë Ukrainën. Nëse do të ishin të interesuar për paqen, mund të ndalonin tani”, tha Kallas në një konference për demokracinë, në Kopenhagë.
Kallas akuzoi Rusinë se nuk po tregonte një gatishmëri të vërtetë për të ndjekur paqen.
“Do të ishte një hap i mirë nëse ata do të uleshin vërtet së bashku”, tha Kallas duke folur për perspektivën e bisedimeve të drejtpërdrejta midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin.
Ukraina, me mbështetjen e aleatëve evropianë, lëshoi një ultimatum për një armëpushim 30-ditor, afati i të cilit ka përfunduar që atëherë. Në përgjigje, Putini propozoi negociata të drejtpërdrejta në Turqi të enjten.
Zelensky e pranoi sfidën dhe njoftoi planet për të udhëtuar në Turqi, megjithëse Kremlini ende nuk ka konfirmuar nëse Putini do të marrë pjesë. //a.i/