KOPENHAGË – Metsola: Dronët janë bërë arma kryesore e luftës

KOPENHAGË, 1 tetor /ATSH/- Duke iu drejtuar takimit informal të liderëve sot në Kopenhage, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola tha se dronët ishin bërë arma kryesore e luftës.
“Nuk kemi nevojë të shpikim rrotën nga e para. Ajo që na duhet është të bashkojmë burimet, fondet dhe njohuritë tona. Dhe Parlamenti Evropian e kupton këtë. Tani jemi gati të arrijmë një marrëveshje për EDIP – Programin Evropian të Industrisë së Mbrojtjes – në trilogun e ardhshëm më 7 tetor, i cili shpresojmë të jetë i fundit”, tha Metsola.
“Isha në Kiev për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Parlamentit Evropian për popullin ukrainas. Mund të shihni se si dronët janë bërë vërtet një armë kryesore e luftës. Presidenti Zelensky e bëri të qartë se Ukraina është gati – ata kanë përvojë në terren dhe kapacitete industriale për të prodhuar edhe më shumë dronë”, tha ajo.
“Megjithatë, ajo që u mungon është financimi. Ajo që dikur ishte e fshehtë tani është e hapur – dhe këtu, ne mund të mbështetemi vërtet në ekspertizën e Ukrainës”, shtoi ajo.
“Parlamenti Evropian ka marrë një qëndrim të qartë, duke i dhënë fund blerjes së gazit rus – që në thelb është një goditje ndaj makinës ruse të luftës – dhe ne e mbështesim këtë. Natyrisht, heqja graduale e varësive tona duhet të shoqërohet me një plan të qartë”, tha Metsola. //a.i/