KPA shkarkon nga detyra prokuroren e Tiranës, Eranda Laze

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra prokuroren e Tiranës, Eranda Laze.
Trupi gjykues i Kolegjit arriti në përfundimin se prokurorja Eranda Laze gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë dhe u vendos ndryshimi i vendimmarrjes së Komisionit e shkarkimi nga detyra i këtij subjekti rivlerësimi.
Laze u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 8 nëntor të vitit të kaluar.
Gjatë hetimit administrativ në KPK, ajo e kundërshtoi bilancin negativ në masën 10 milionë lekë, si dhe gjetjet për udhëtime me persona të përfshirë në krimin e organizuar, duke kërkuar konfirmimin.
Shumica e trupës së KPK i gjeti bindëse shpjegimet dhe provat e dorëzuara nga subjekti, duke e reduktuar pamundësinë në rreth 1.5 milionë lekë, që u konsiderua në përfundim jo penalizues.
Vendimi i shumicës së Komisionit u gjet i pabazuar dhe nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit që pasi evidentoi probleme për pasurinë dhe etikën, u kërkoi Komisionerëve Publikë përmes një rekomandimi, që të ushtronin ankim në Kolegj. /j.p/