KPA shkarkon nga detyra prokurorin Genci Mane

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli sot vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Fierit, Genci Mane.
Nga gjetjet e KPA, Mane konsiderohet i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Sipas KPA, Mane nuk provoi me dokumentacion justifikues ligjor të ardhurat e babait nga puna pranë një shoqërie, ndërkohë që vlera 1.7 milionë lekë e pretenduar si e përfituar nga pjesa takuese e banesës, vlerësohet se është disa herë më e lartë se çmimi referencës.
Po ashtu, Kolegji konstatoi probleme të tjera me justifikimin e pasurisë,
Edhe mangësitë e konstatuara në aspektin profesional nuk janë gjetur të mjaftueshme për të sjellë penalizimin, por janë konsideruar në vlerësimin tërësor.
KPA çmon se problemet për pasurinë, sjellja e subjektit në drejtim të probleme të konstatuara për kontratën e energjisë, paraqitja e të dhënave të pavërteta për kredinë, si dhe mangësitë e konstatuara në aspektin profesional në sytë e një vëzhguesi të jashtëm janë të dhëna të mjaftueshme për cenimin e besimit tek sistemi i drejtësisë.
Përfundimisht, Kolegji vlerëson se prokurori Genci Mane është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën dhe e shkarkoi atë.