E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KRM “Pastrimi” vazhdon pastrimin e shkollave në Prishtinë, pavarësisht grevës së punëtorëve teknikë

Kompania Rajonale e Mbeturinave (KRM) “Pastrimi” po vazhdon aktivitetet e pastrimit në shkollat e Prishtinës, në kohën kur punëtorët teknikë të këtyre institucioneve arsimore po mbajnë grevë për shkak të mospagesës së obligimeve financiare ndaj tyre.

Përmes postimeve në Facebook, kompania ka bërë të ditur se ka pastruar objektet e shkollave fillore të mesme të ulëta “Naim Frashëri” dhe “Ismail Qemajli” në kryeqytet.


Për pastrimin në shkollën “Naim Frashëri”, KRM-ja ka shkruar se synon që nxënësit dhe stafi i shkollës të kenë ambient të pastër mësimi.

“Pastruam shkollën fillore të mesme të ulët ‘Naim Frashëri’ në kryeqytet, në mënyrë që nxënësit dhe stafi mësimor dhe i gjithë shkollës të kenë ambient të pastër mësimi”, thuhet në njoftimin e KRM-së, raporton Telegrafi.

Pastrimi i shkollave nga kjo kompani është kundërshtuar nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, i cili më herët kishte akuzuar KRM-në për ndërhyrje gjatë grevës së punëtorëve teknikë.

Në një intervistë për Telegrafin, Azemi kishte thënë se problemi lidhet me obligimet financiare të Komunës së Prishtinës ndaj kompanive që menaxhojnë këta punëtorë. Sipas tij, disa kompani janë detyruar t'i mbulojnë pagat nga buxheti i tyre, pasi komuna nuk ua kishte bartur mjetet.

Ai kishte kundërshtuar edhe angazhimin e KRM-së për pastrimin e shkollave, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në kohën kur punëtorët teknikë janë në grevë.

“Ta bësh thyerjen e grevës në këtë formë, gjithkush duhet ta japë llogari për këto thyerje që po bëhen”, kishte deklaruar Azemi.

Kreu i sindikatës kishte theksuar se punëtorët nuk duhet ta ndërpresin grevën pa u shlyer të gjitha obligimet ndaj tyre.

Ndërkaq, KRM “Pastrimi” po vazhdon publikimin e aktiviteteve të pastrimit nëpër shkollat e kryeqytetit, me arsyetimin se synon të sigurojë ambiente të pastra për nxënësit dhe personelin arsimor. /Telegrafi/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›