Kadastra dhe Bashkia Himarë, marrëveshje bashkëpunimi për regjistrimin fillestar të pronave

TIRANË, 12 mars /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Himarë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e regjistrimit fillestar në 6 zona kadastrale të Bashkisë.
Marrëveshja u firmos nga drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli dhe kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo.
Aktualisht Himara është e organizuar në 24 zona kadastrale, prej të cilave 15 tashmë kanë përfunduar regjistrimin fillestar, ndërsa 3 zona janë në fazën përfundimtare të procesit.
Me marrëveshjen e nënshkruar, puna do të vijojë për 6 zona të tjera, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së regjistrimit fillestar në të gjithë territorin e Bashkisë Himarë.
Procesi i regjistrimit do të zhvillohet në zonat e mëposhtme: Çorraj, Fterrë, Gjilekë, Kallarat, Pilur, si dhe në ZK 1952 në qytetin e Himarës.
Ky bashkëpunim ofron qytetarëve mundësinë për të pajisur pronat e tyre me dokumentacion të plotë dhe për të forcuar sigurinë juridike mbi pronën, duke rritur transparencën dhe efikasitetin në administrimin e regjistrave kadastralë.
/e.xh/a.f/