E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalaja e Kaninës do të hapet brenda sezonit turistik, restaurimi solli edhe zbulime të reja

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Në majën e një kodre panoramike 3 km larg qytetit të Vlorës ndodhet kalaja e Kaninës, e cila pas një procesi gati 1-vjeçar restaurimi pritet të hapet brenda këtij sezoni turistik për vizitorët vendas e të huaj.

Restaurimi i kalasë ka nisur në maj të vitit të kaluar me financim të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Cultural Heritage Without Borders-Albania (CHWB Albania).

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Orges Feimi tha sot për ATSH-në se “punimet restauruese në kalanë e Kaninës pritet të përfundojnë brenda dy muajve, kryesisht ato janë përqendruar nga ndërhyrjet gjeologjike tek ato konservuese”.

Brenda mureve të kalasë tashmë po marrin formë hapësira të reja funksionale si një zyrë informacioni, njësi shërbimi për turistët, një teatër i hapur dhe hyrje të mirëstrukturuara të pajisura me tabela orientuese.

“Këto ndërhyrje synojnë jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë, por edhe transformimin e kalasë në një eksperiencë të plotë kulturore”, shprehet Feimi.

Përveç vlerave historike dhe arkeologjike që kalaja e Kaninës ka pas restaurimit do të kthehet në një prej destinacioneve më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj në qytetin bregdetar.

Kreu i DRKK Vlorë thekson se “aktualisht po kryhen punimet e fundit dhe brenda këtij sezoni turistik ajo do të presë mijëra turistë. Rritja e numrit të vizitorëve në këtë kala vitet e fundit ka ardhur edhe si pasojë e rikonstruksionit të rrugës së fshatit Kaninë”.

Gjatë punimeve për restaurimin e kalasë u zbuluan dëshmi të reja që hedhin dritë mbi të kaluarën e pasur të këtij siti.

Arkeologu Surja Lela tha për ATSH-në se “gjatë gërmimeve për gjeologjinë e Kaninës kemi zbuluar dy ambiente të periudhës otomane të cilat arrijnë thellësinë e tyre deri në -3.20 m. Materiali arkeologjik përbëhet kryesisht nga qeramikë dhe janë zbuluar në shtresat edhe dy gjyle guri, të cilat tregojnë më së miri edhe arsyen e shkatërrimit të tyre”.

Sipas tij, ky ambient i zbuluar pranë murit rrethues do të restaurohet plotësisht dhe do të mbetet i i hapur për vizitorët.

“Ne mendojmë se e gjithë sipërfaqja e brendshme e kalasë është e mbushur plot me banesa të periudhave të ndryshme. Këtë gjë na e konfirmojnë edhe sondazhet e kryera në zona të ndryshme të kalasë ku kemi zbuluar themele të ndryshme të banesave, rrugë me kalldrëme, sisteme kanalizimesh mesjetare etj. Të gjitha strukturat e zbuluara do të restaurohen dhe do të trajtohen me kujdes duke u bërë pjesë përbërëse e këtij siti arkeologjik duke iu shtuar turizmit arkeologjik”, tha Lela.

⁠Kanina është një ndër sitet më të rëndësishme arkeologjike për shkak se fillimi i ndërtimit të saj i përket periudhës Qytetare Ilire dhe ka një vazhdimësi të pandërprerë banimi përgjatë gjithë shekujve.

Këtë dëshmi e tregojnë më së miri shtresat arkeologjike dhe arkitektura e saj.

Kjo kala ka një rëndësi të madhe historike dhe kulturore, duke qenë vendi ku Gjergj Kastrioti Skënderbeu u kurorëzua si princ i Arbërisë në vitin 1451.

Kalaja e Kaninës është vizituar nga Sulejmani i Madhërishëm, ndërkohë që simbolika e saj, merr dimensione të tjera me emrat e Gjergj Arianitit, Donika Kastriotit, pashallarëve të famshëm protagonistë të fazave të ndryshme të Perandorisë Turke, Ismail Qemalin etj.

Struktura e ndërtimit të saj, evokon ngjashmëri me objekte të tjera si kalatë e Beratit, Durrësit etj.

Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 380 metra mbi nivelin e detit. Ajo ka një sipërfaqe prej 3,6 hektarësh. Prej këndej hapet një pamje mjaft e bukur drejt Vlorës dhe gjirit të saj.

Në horizontin e Vlorës, ku historia dhe natyra bashkohen, Kalaja e Kaninës po përgatitet të mirëpresë mijëra vizitorë, jo vetëm si një monument i së shkuarës, por si një destinacion i gjallë që rrëfen histori të reja çdo ditë.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›