E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kalemaj në “3D”: Kurti do dominim total, por do detyrohet të bëjë koalicion me PDK-në

Analisti Ilir Kalemaj, i ftuar në emisionin “3D” në RTSH, ka bërë një autopsi të situatës politike në Kosovë në prag të zgjedhjeve, duke lëshuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe parashikuar një aleancë pas procesit zgjedhor.

Sipas Kalemajt, Kosova rrezikon të mbetet në paqëndrueshmëri elektorale dhe zgjidhja e vetme duket të jetë një “martesë e detyruar” mes dy kundërshtarëve të ashpër politikë.

Analisti shprehu zhgënjimin e tij për klimën e polarizuar politike në Prishtinë. Ai theksoi se kishte shpresuar për një bashkërendim mes partive opozitare (PDK dhe LDK), por mbi të gjitha kritikoi qasjen e kryeministrit.

“Jam i zhgënjyer nga qasja deri dhe armiqësore e Kurtit ndaj opozitës, pasi kjo më ka bërë të kuptoj se Albini udhëhiqet nga dominimi i pushtetit,” deklaroi Kalemaj.

“Dhurata” e Osmanit me datën e zgjedhjeve

Kalemaj hodhi dyshime mbi vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për të caktuar datën e zgjedhjeve më 28 dhjetor. Sipas tij, kjo nuk është rastësi, por një lëvizje e llogaritur që favorizon partinë në pushtet përmes votës së diasporës.

“Përse Osmani i shpalli zgjedhjet në kohën që përkon me ardhjen e emigrantëve? Duket se ajo ka marrë diçka në këmbim,” aludoi analisti, duke lënë të kuptohet për një marrëveshje prapaskenash mes Presidencës dhe Qeverisë.

Koalicion i detyruar VV-PDK

Duke analizuar shifrat dhe rezultatet e zgjedhjeve vendore në raport me ato të përgjithshme, Kalemaj parashikon se asnjë parti nuk do të mund të qeverisë e vetme dhe stabile.

“Në rastin e Kosovës shoh sërish paqëndrueshmëri elektorale. PDK dhe Vetëvendosja do të jenë të detyruara të bëjnë koalicion,” tha ai.

Ky skenar, sipas tij, imponohet edhe nga gjendja e rënduar ekonomike dhe izolimi diplomatik. Kalemaj paralajmëroi se Kosova po paguan një faturë të kripur për krizën aktuale: “Kosova po humb miliona euro në ditë dhe po humb edhe sa i përket prestigjit ndërkombëtar.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›