Kallas: Marrëdhëniet me SHBA-në kanë pësuar goditje të madhe, por s’mund të sakrifikojmë 80 vite marrëdhënie të mira

Marrëdhëniet transatlantike mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kanë pësuar një “goditje të madhe gjatë javës së kaluar”, ka deklaruar shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Kallas theksoi se BE-ja po përballet me një nivel të lartë paparashikueshmërie në marrëdhëniet me Uashingtonin.
“Një ditë gjërat shkojnë në një drejtim, ditën tjetër gjithçka mund të ndryshojë,” u shpreh ajo.
Sipas saj, marrëdhëniet mes Evropës dhe SHBA-së “kanë marrë padyshim një goditje të madhe gjatë javës së fundit”, por evropianët nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë “80 vite marrëdhënie të mira”.
Edhe pse presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga kërcënimi për vendosjen e tarifave, zyrtarët e BE-së zhvilluan një samit për të analizuar situatën dhe për të përcaktuar qëndrimin e përbashkët evropian.
Në samit, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, përshëndeti unitetin e Bashkimit Evropian dhe “gatishmërinë për t’u mbrojtur”. Ajo theksoi se sovraniteti danez nuk është i diskutueshëm, duke shtuar se SHBA-ja dhe Danimarka “duhet të bashkëpunojnë me respekt reciprok, pa kërcënuar njëra-tjetrën”.
Nga ana e tij, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Evropa duhet të mbetet “jashtëzakonisht vigjilente dhe e gatshme për të përdorur instrumentet që ka në dispozicion”, në rast se përballet sërish me kërcënime.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz mirëpriti ndryshimin e qëndrimit të presidentit Trump. “Jam shumë mirënjohës që Presidenti Trump është distancuar nga planet e tij fillestare për Grenlandën dhe që ka hequr dorë nga vendosja e tarifave shtesë,” u shpreh Merz.
/rtsh.al/