E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Kam 15 vite pa televizor në shtëpi”, gazetarja tregon arsyen e veçantë të këtij vendimi

“Prej 15 vitesh nuk mbaj televizor në shtëpi”. Kështu ka deklaruar gazetarja Mirilda Tili, e cila ka qenë e ftuar në emisionin Mes’dritë në Vizion Plus.

Teksa tregoi detaje për jetën midis dy kulturave, asaj shqiptare dhe asaj japoneze, Tili zbuloi edhe arsyen e veçantë të këtij vendimi.

“U bënë 15 vite që nuk mbaj televizor në shtëpi. Unë kam qenë shumë e varur nga televizori dhe nëse kam një të tillë në shtëpi ja ngul sytë dhe nuk ja heq. Këtë të metë ja pranoj vetes. Kur shkuam në Austri për të jetuar atje, nuk punonte televizori, ishte prishur. Ne gjermanisht nuk merrnim vesh dhe për të gjetur një teknik televizori duhej kohë. Dhe kur e gjetëm, kishte një mënyrë faturimi të çuditshme që nuk e merrnim vesh dhe ne na binte më mirë ta blinim një të ri.

Por kur kjo gjë po ndodhte, unë po mësohesha me mëngjese të qeta. Ishte periudha kur isha në Shqipëri dhe kur lexoheshin gazetat, zëri ishte në kupë të qiellit, sepse babai im kishte probleme me dëgjimin dhe titujt ishin u vra, gjak në shkallët e pallatit. Në atë një muaj që ne do zgjidhnim çështjen e televizorit, unë kuptova që kisha patur mëngjese të qeta dhe aspak toksike. Një rehati e jashtëzakonshme mëngjesi dhe që atëhere nuk kam më televizor në shtëpi”, tha Mirilda Tili./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›