E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kampionati i fluturimeve mbush me ngjyra qiellin e Korçës

TIRANË, 30 tetor/ATSH/ Nis sot në qytetin e Korçës kampionati i fluturimeve “Korça Open Air”.

Ky do të jetë edicioni i 11-të i këtij kampionati që pritet t’i sjellë qytetit një atmosferë të jashtëzakonshme që do të bëjë bashkë pilotë e sportdashës nga i gjithë vendi.

“Nga 30 tetori deri më 2 nëntor, qielli i Korçës do të vishet me ngjyra, adrenalinë dhe emocion”, shkroi kryebashkiaku Sotiraq Filo në rrjetet sociale.

Në programin e ditës së sotme janë fluturimet me paramotore, fluturime testuese precizioni si dhe regjistrimi i pilotëve për garën e precizionit. Nesër kampionati do të vazhdojë me garat e precizionit, aeromodelling me fëmijët, tek qyteza e fëmijëve. Për mbrëmjen e datës 1 nëntor është parashikuar një mbrëmje festive ndërsa të dielën do të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve.

Aktivitetet e këtij kampionati do të zhvillohen në fushën e fluturimit në Lumalas (ish-fusha e aviacionit). Filo ftoi të gjithë bashkëqytetarët e tij të shijojnë së bashku fluturimet mbi Korçë dhe emocionet e sportit të ajrit.

1 nga 6

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›