E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet mbi 42 kg kanabis pranë kufirit me Shqipërinë, arrestohen katër persona në Greqi

Autoritetet greke kanë goditur një tjetër rast trafiku droge pranë kufirit me Shqipërinë, duke arrestuar katër persona në zonën e Kozanës, në një operacion të zhvilluar nga Departamenti i Narkotikëve në Kostur.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi 42.869 kilogramë kanabis, me një vlerë të llogaritur mbi 686 mijë euro. Droga u zbulua pasi dy automjete që po e transportonin nuk iu bindën urdhrit të ndalimit dhe tentuan të largoheshin me shpejtësi. Gjatë ndjekjes, një pjesë e lëndës narkotike u hodh nga mjeti për të humbur gjurmët.

Të arrestuarit janë identifikuar si një 24-vjeçar, një 26-vjeçare, një 29-vjeçar dhe një 44-vjeçar, të cilët tashmë janë dërguar në Prokurorinë e Gjykatës Penale të Kosturit, ku do të përballen me akuza për trafikim të lëndëve narkotike në formë të strukturuar.

Operacioni u realizua në bashkëpunim me njësitë e inteligjencës dhe hetimit penal, ndërsa autoritetet greke kanë paralajmëruar masa të shtuara sigurie në pikat kufitare për të goditur rrjetet që trafikojnë drogë nga Shqipëria drejt territorit grek dhe më tej në Europë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›