Kapri: Nuk ulemi në tryezën e thirrur nga Berisha

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Deputeti Erald Kapri deklaroi sot gjatë një interviste televizive se, Partia Mundësia nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha “Zgjidhja për Shqipërinë”.
Sipas Kaprit, Partia Mundësia nuk mund të ulet në një tryezë me të pandehur nga drejtësia.
Ai theksoi se, mungesa e besueshmërisë në luftën kundër korrupsionit e bën të pamundur një bashkëpunim të tillë.
“Nuk mund të ulemi në një tryezë për të luftuar korrupsionin e Edi Ramës, ku krerët e saj (tryezës) janë të akuzuar për korrupsion. Ne e shohim korrupsionin si problemin kryesor në Shqipëri sot dhe pa besueshmëri në këtë aspekt, nuk mund të na kenë nga pas qytetarët”, u shpreh Kapri.
Ai shtoi se, Shqipëria ka nevojë për një model të ri politik, ku ndëshkimi i korrupsionit të jetë thelbësor dhe ku bashkëpunimet të mos kenë si qëllim goditjen e drejtësisë apo mbajtjen e karrigeve politike.
Sipas tij, çdo tryezë politike duhet të synojë reforma reale dhe jo interesa personale.
Deputeti i Partisë Mundësia bëri të ditur gjithashtu se kjo forcë politike ka organizuar tryeza të hapura me intelektualë dhe gazetarë, si pjesë e vizionit të saj për dialog publik.
/gj.m/r.e/a.f/