E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi: Përgjigje sfidave që sjell rritja e shpejtë e energjisë së rinovueshme

TIRANË, 1 tetor/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi zhvilloi sot një takim me prodhuesit e energjisë elektrike, deputetë të Komisionit të Burimeve Natyrore dhe drejtues të institucioneve të sektorit energjetik, ku u diskutua për zhvillimet e reja në sektor dhe sfidat që sjell rritja e shpejtë e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme.

Gjatë takimit, Karkaçi theksoi se tashmë me ligjin e ri Shqipëria është përafruar më tej me rregullat europiane të tregut të energjisë, duke krijuar më shumë mundësi për integrimin në tregjet rajonale dhe europiane.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe për rritjen e investimeve në energjinë e rinovueshme.
“Normalisht janë rreth 700 MW me kapacitete fotovoltaike në operim, ndërsa janë rreth 1.000 MW të tjerë që janë në proces ndërtimi ose në faza procedurash. Po rritet edhe interesi për sistemet e baterive dhe depozitimit të energjisë”, u shpreh Karakaçi.

Duke folur për zgjerimin e kapaciteteve energjetike, Karakaçi bëri të ditur se po punohet bashkë me BERZH për një ankand të ri për energjinë fotovoltaike që këtë herë do jetë bashkë me bateritë.

“Kjo rritje sigurisht sjell një sfidë të rëndësishme. Rrjeti i transmetimit nuk është ndërtuar për këtë nivel të riprodhimit. Në disa zona kapaciteti i rrjetit është pranë kufirit dhe kërkon investime të konsiderueshme”, shtoi ai.

Në takim ministri shprehu shqetësimin për sa i përket financimit të këtyre investimeve.

“Theksova se nuk është e drejtë që e gjithë barra të bjerë mbi konsumatorët shqiptarë, sidomos duke marrë në konsideratë faktin që një pjesë e energjisë që prodhohet synon eksportin për tregjet rajonale dhe europiane. Për këtë arsye po shqyrtojmë modele të përdorura dhe në vende të Bashkimit Europian”, tha Karakaçi.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›