Karakaçi dhe ambasadorja Huber nënshkruajnë marrëveshje për vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesa

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Enea Karakaçi, zhvilloi një takim me ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, ku u nënshkrua Marrëveshja për Projektin e Vlerësimit të Dëmtimeve në Ndërtesa. Projekti realizohet nga Instituti i Ndërtimit, me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC).
Sipas marrëveshjes, synohet forcimi i sistemit kombëtar për vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesa, përmes unifikimit të standardeve teknike, trajnimeve profesionale dhe rritjes së bashkëpunimit institucional në situata emergjente.
Projekti parashikon gjithashtu zhvillimin e kapaciteteve teknike dhe ekspertizës profesionale, me qëllim përmirësimin e sigurisë publike, qëndrueshmërisë së ndërtesave dhe përmirësimin e reagimit pas fatkeqësive natyrore.
Ministri Karakaçi dhe ambasadorja Huber nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë për të përmirësuar standardet e ndërtimit dhe përgjigjen ndaj emergjencave në vend.
“Me Ambasadoren e #Zvicrës në #Shqipëri, Ruth Huber, gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes për Projektin e Vlerësimit të Dëmtimeve në Ndërtesa, i zbatuar nga Instituti i Ndërtimit me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC).
Marrëveshja synon forcimin e sistemit kombëtar për vlerësimin e dëmtimeve në ndërtesa, përmes unifikimit të standardeve teknike, trajnimeve profesionale dhe rritjes së bashkëpunimit institucional në situata emergjente.
Ajo parashikon gjithashtu rritjen e kapaciteteve teknike dhe ekspertizës profesionale, me qëllim përmirësimin e sigurisë publike, qëndrueshmërisë së ndërtesave dhe reagimit pas fatkeqësive natyrore”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/