E Diel, 1 Nëntor 2026

Karakaçi prezanton vizionin para strukturave si drejtues politik: Të fitojmë të 5 bashkitë e Shkodrës

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi ndodhet në qytetin e Shkodrës, ku prezantohet para strukturave të Partisë Socialiste si drejtuesi politik i këtij qarku. Karakaçi zëvendësoi Benet Becin si drejtues politik të këtij qarku.

I shoqëruar nga kryebashkiaku Benet Beci, Karakaçi prezanton përpara strukturave dhe anëtarëve vizionin dhe prioritetet e punës në vijim, duke vënë theksin tek bashkëpunimi, organizimi dhe angazhimi i përbashkët në funksion të forcimit të mëtejshëm të Partisë Socialiste në qark.

Para mediave Karakaçi tha se tashmë Partia Socialiste ka ndezur motorët e punës, për vendoret 2027.

Sipas tij qëllimi është i qartë, të vëmë në vend porositë e Asamblesë së PS, “të energjizojmë strukturat, të fillojmë anëtarësimet e reja dhe të fitojmë zgjedhjet”.

“Bashkë me Benetin bëmë sot prezantim e zgjeruar të Partisë Socialiste. Është patjetër një takim shumë i veçantë për mua dhe shumë i këndshëm, pasi unë kthehem në qytetin tim dhe kemi ndezur motorët. Qëllimet janë shumë të qarta, janë lënë detyra nga Asambleja e Partisë Socialiste: të energjizojmë strukturat, të fillojmë anëtarësimet e reja, të përgatitemi që në zgjedhjet e vitit pasardhës të jemi sa më të përgatitur dhe të marrim një rezultat të shkëlqyer”, tha Karakaçi.

Enea Karakaçi u caktua drejtues politik i qarkut të Shkodrës, pas Asamblesë së PS të mbajtur nga kryesocialisti Edi Rama më 21 mars në Durrës. Ku kryeministri Edi Rama la porositë për zgjedhjet e  ardhshme vendore të vitit 2027.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›