Katarakti, problemi më i shpeshtë tek të moshuarit, okulistja: Kontrollet vjetore janë të domosdoshme

Problemet me shikimin bëhen më të shpeshta me kalimin e moshës, ndaj kontrollet periodike te okulisti janë të rëndësishme për diagnostikimin dhe trajtimin në kohë të sëmundjeve të syrit. Okulistja tregon se një nga problemet më të zakonshme te moshat e treta është katarakti.
“Problemet kryesore te mosha e tretë lidhen me kataraktën. Është edhe sëmundja më e shpeshtë e moshave të treta, pasi lidhet me moshën, edhe është dhe një nga ndërhyrjet që ne bëjmë më shpesh, që është operacioni i kataraktës. Por te kjo moshë kemi dhe pacientët me numër të madh dhe pacientët që janë me diabet, pra që janë me diabetin e tipit të dytë. Katarakti është turbullimi i kristalinit. Pra, nga një kristalin i pastër, ai turbullohet dhe kjo lidhet pastaj me rënien në mënyrë progresive të shikimit. Dhe operacioni është zgjidhja e vetme për kataraktën”, tha okulistja Besa Voka.
Kontrollet periodike ndihmojnë në zbulimin e hershëm të ndryshimeve dhe në marrjen e trajtimit të nevojshëm.
“Të moshuarit duhet të paktën të vijnë një herë në vit te mjeku okulist për të vlerësuar gjendjen e tyre, të matet tensioni, të shikohet avancimi apo jo i kataraktës, apo dhe i problemeve të tjera që lidhen me pleqërinë, siç është degjenerimi makular i lidhur me moshën, plakja e qendrës së shikimit”, tha ajo.
Specialistët këshillojnë veçanërisht personat e moshave të treta të mos e neglizhojnë turbullimin e shikimit, vështirësinë për të parë në errësirë, ndjeshmërinë ndaj dritës apo ndryshimet e tjera të papritura.
Gazetare: I. Bajraktari
/rtsh.al/