Kategoria e Parë/ Skënderbeu dhe Pogradeci festojnë në transfertë, ndalet Laçi

Kanë përfunduar ndeshjet e sotme të vlefshme për javën e 28-të të Kategorisë së Parë. Skënderbeu reagon pas hapit fals që bëri në mesjavë, duke fituar në transfertë 1-0 përballë Besës. Festë e dyfishtë për korçarët, sepse rivalët e Laçit janë ndalur në një barazim 1-1 në transfertë përballë Ilirisë.
Skënderbeu çon sërish në 3 diferencën me kurbinasit në renditje, por tashmë të dyja skuadrat duhet të ruhen nga Pogradeci. Liqenorët janë në formë të shkëlqyer, fitojnë 3-0 në transfertë përballë Burrelit dhe ngjiten në kuotën e 61 pikëve në klasifikim, 3 më pak se Laçi i vendit të dytë.
Kukësi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë, pasi ka mposhtur në transfertë Kastriotin me rezultatin 2-0. Korabi ka mposhtur minimalisht 1-0 Luftëtarin në Peshkopi.