E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kategoria e Parë në RTSH: Skënderbeu kap kreun

Skënderbeu mundi Ilirinë 2-0 në javën e tretë të Kategorisë së Parë, në një ndeshje të luftuar. Tri pikët e ngrenë skuadrën korçare në krye të renditjes, me shtatë pikë, në pritje të përfundimit të ndeshjeve të tjera të javës së tretë.

 Skënderbeu u ngjit në krye të renditjes të Kategorisë së Parë, në pritje të ndeshjeve të tjera të javës së tretë, pas fitores 2-0 kundër Ilirisë. Skuadra korçare fitoi me nga një gol për çdo pjesë loje, megjithatë tri pikët nuk ishin të lehta përballë miqve luftarakë, debutues në Kategorinë e Parë.

Ndeshja pati fillim të mirë për Skënderbeun, që e gjeti rrjetën në minutën e 9-të, kur Nasr shënoi me një gjuajtje të fortë me të majtën brenda zonës.

Ndeshja u zhvillua e hapur dhe të dyja skuadrat kërkuan të shënonin, por shkuan në pushim pa tundje të tjera rrjetash.

Në pjesën e dytë, Iliria hodhi më tepër sytë nga porta korçare, por vendasit e siguruar përfundimisht fitoren kur Çuçka shënoi golin e dytë në minutën e 72-të pas një aksioni të gjatë, mbyllur me gjuajtjen pak metra larg portës.

Me tri pikët, Skënderbeu kapërcen Laçin, që ka gjashtë pikë pas dy ndeshjeve të para.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›