“Katër Stinët” në Shkodër, koncert me kryeveprat e Vivaldit në kishën e Shën Françeskut

Shkodra mikpriti në një mbrëmje të veçantë muzikore kryeveprën e Antonio Vivaldit, “Katër Stinët”.
Koncerti u mbaj në Kishën e Shën Françeskut, Gjuhadol, dhe solli tingujt magjikë të muzikës baroke për të gjithë adhuruesit e artit.
Orkestra e njohur “Albanian Chamber Orchestra”, nën drejtimin e violinistes virtuoze Abigeila Voshtina, solli një interpretim të jashtëzakonshëm të kësaj vepre ikonike.
Ngjarja është pjesë e programit “Simfoni Pranverore” dhe vjen si një iniciativë për të promovuar artin dhe kulturën.
“Shqipëria duhet të ketë strategjinë e saj të mbështetjes së muzikës klasike, që ajo të jetë një potencial turizmi siç e ka Venezia”, tha Voshtina.
I frymëzuar nga pikturat e peizazhit të artistit italian, Marco Ricci, Antonio Vivaldi kompozoi “Katër stinët” afërsisht mes 1720 dhe 1723 dhe i botoi ato në Amsterdam në 1725.
“Katër stinët” përbëhen nga katër koncerte ( pranverë, verë, vjeshtë dhe dimër ), secila në një formë të veçantë./vizionplus.tv