Katër astronautë të NASA-s kthehen në Tokë, evakuimi i parë mjekësor kryhet me sukses

UASHINGTON, 15 janar /ATSH/- NASA kreu sot në mëngjes evakuimin e parë mjekësor nga hapësira sot në mëngjes, duke kthyer katër astronautë sërish në Tokë, më shumë se një muaj më herët, pasi një anëtar i ekuipazhit raportoi probleme shëndetësore në bordin e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, sipas “Fox News”.
“SpaceX” e drejtoi anijen kozmike “Dragon” drejt Oqeanit Paqësor pranë brigjeve të San Diegos, duke përfunduar kthimin në më pak se 11 orë pasi ekuipazhi u largua nga laboratori orbital.
“Kthimi i “Dragon” është konfirmuar – mirë se vini sërish në Tokë”, tha “SpaceX” në një postim në X.
NASA tha se astronauti ishte në gjendje të qëndrueshme gjatë kohës që ishte në orbitë, por menaxherët e misionit vendosën që, një kthim i hershëm ishte rruga më e sigurt për të lejuar vlerësimin e duhur mjekësor dhe testimin diagnostik në Tokë.
Zyrtarët theksuan se kthimi nuk kërkonte ndonjë procedurë të veçantë dhe se ekipet standarde mjekësore ishin në dispozicion gjatë rikuperimit.
Përfundimi i hershëm i misionit e la stacionin hapësinor të përkohshëm me vetëm tre astronautë – një amerikan dhe dy rusë – një konfigurim që NASA tha se është i menaxhueshëm, por kufizon disa operacione.
Zyrtarët e agjencisë thanë se nuk mund të kryhen shëtitje në hapësirë, përfshirë riparimet emergjente, deri në mbërritjen e ekuipazhit tjetër.
NASA theksoi se vendimi ishte paraprak dhe jo rezultat i një emergjence.
Problemi shëndetësor i astronautit u shfaq më 7 janar, duke shkaktuar anulimin e një shëtitjeje në hapësirë të planifikuar të nesërmen dhe duke çuar në fundin e misionit.
Kjo shënon herën e parë që NASA ndërpret një fluturim hapësinor për arsye mjekësore, megjithëse vendime të ngjashme u morën nga programet hapësinore ruse disa dekada më parë.
NASA dhe “SpaceX” thanë se po punojnë për të përshpejtuar nisjen e një ekuipazhi zëvendësues prej katër personash, aktualisht i planifikuar për mesin e shkurtit. //a.i/