Katër prioritetet e ambasadorit të ri amerikan/“SPAK duhet të mbetet i papolitizuar”, kandidati i Trump për ambasador në Shqipëri jep mesazhin e fortë në Senat

I nominuari i presidentit amerikan Donald Trump për ambasador të SHBA në Shqipëri, Eric Wendt, ka shprehur mbështetje të qartë për reformën në drejtësi dhe punën e SPAK gjatë dëshmisë së tij në Komitetin e Jashtëm të Senatit amerikan.
Gjatë seancës, Wendt theksoi se një nga prioritetet kryesore të Shteteve të Bashkuara do të jetë mbështetja e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Mbështetja ndaj Shqipërisë në vazhdimin e luftës kundër korrupsionit, si edhe kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet latino-amerikane të drogës, do të ndihmojë për ta bërë Amerikën dhe Shqipërinë më të sigurta”, deklaroi ai.
Mesazhi për SPAK: “Strukturë e rëndësishme jopolitike”
I pyetur konkretisht mbi rolin e SPAK, Wendt e cilësoi Prokurorinë e Posaçme si një institucion kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“SPAK-u është një strukturë e rëndësishme jopolitike. Prokurorët i nënshtrohen një kontrolli të kujdesshëm, përfshirë edhe testin e poligrafit. Ata kanë hetuesit e tyre specialë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Nëse konfirmohem, do të shtyj përpara dhe do të mbështes punën e tyre të papolitizuar”, u shpreh ai.
Sipas Wendt, bashkëpunimi mes SPAK dhe SHBA është i vazhdueshëm dhe puna e institucionit mbetet kritike për të ardhmen e shtetit ligjor në Shqipëri.
Katër prioritetet e ambasadorit të ri amerikan
Në fjalën e tij para senatorëve amerikanë, Wendt prezantoi edhe katër shtyllat kryesore të punës së tij nëse konfirmohet ambasador në Tiranë.
Ai tha se fokusi do të jetë:
- forcimi i sigurisë dhe lufta kundër korrupsionit e trafikut të drogës;
- rritja e bashkëpunimit ushtarak dhe mbështetja për objektivat e NATO-s;
- garantimi i kushteve të barabarta për investitorët amerikanë në Shqipëri;
- forcimi i vetë misionit diplomatik amerikan dhe stafit të ambasadës.
“Shqiptarët janë krenarë dhe mikpritës”
Wendt kujtoi edhe eksperiencat e tij të mëparshme me trupat shqiptare në kuadër të NATO-s dhe misioneve në Afganistan.
Ai vlerësoi forcat speciale shqiptare, duke thënë se ato “mishërojnë shpirtin luftarak të Skënderbeut”, ndërsa popullin shqiptar e cilësoi si “krenar, punëtor dhe mikpritës”.
Kandidati i Trump për ambasador në Shqipëri ka një karrierë mbi 34-vjeçare në ushtrinë amerikane, ku ka shërbyer si pjesë e forcave speciale “Green Berets” dhe në struktura të sigurisë së NATO-s.