E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kemi marrë garanci për “Zvërnecin”, Kos: Komisioni Europian është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë

Komisioni Europian ka marrë garanci nga qeveria Shqiptare se projekti i Zvërnecit nuk do të cenojë mjedisin, por gjithçka do të kryhet në përputhje me legjislacionin e unionit.

Kryeministri Edi Rama postoi në “Facebook” reagimin e Komisioneres për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, e cila u shpreh se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritet shqiptare.

“Kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen standardet europiane mjedisore”, u shpreh Kos.

Kos rikujtoi se vendi ynë ka ende punë për të bërë sa i përket kapitullit 27 që lidhet me mjedisin.

“Ky kapitull është i hapur dhe para se të mbyllet, situata do të duhet të sqarohet plotësisht. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse standardet janë përmbushur”, u shpreh Kos.

Lidhur me protestat, komisionerja për zgjerimin u shpreh se është një e drejtë europiane, nga e cila nuk sheh asgjë të gabuar.

“Ky proces është juridikisht dhe politikisht detyrues, si dhe i nënshtrohet monitorimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Kjo ofron garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet evropiane. Sa i përket protestave, dua të shtoj se e dini sa i rëndësishëm është për ne e drejta për të protestuar. Ajo është një e drejtë themelore në Bashkimin Evropian dhe për të gjitha vendet aspirante. Jam e lumtur të shoh që kjo e drejtë respektohet në Shqipëri”, tha ajo.

Prej më shumë se dy javësh në kryeqytet po mbahen protesta, të cilat nisën për kundërshtimin e projektit të Zvërnecit, por qytetarët kërkojnë tashmë edhe largimin e kryeministrit Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›