“Kemi nderuar flamurin dhe kombin”, Rama: Shqipëria dikur njihej vetëm për lajme të këqija, sot shqiptarët e thonë emrin me krenari

I pranishëm në seancën parlamentare të zhvilluar ditën e sotme ishte edhe shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama.
Kryeministri theksoi rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke e përshkruar vendin si një faktor të rëndësishëm për paqen. Rama vuri në dukje përparimin e Shqipërisë gjatë dekadës së fundit, nga një “ishull” negativ në hartën e botës, në një destinacion turistik me 12 milionë vizitorë, dhe nderin që vendi të jetë ftuar nga presidenti amerikan Donald Trump për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një mekanizëm ndërkombëtar për menaxhimin e krizave dhe promovimin e paqes.
Rama: Ne e kemi çuar Shqipërinë e përkushtuar për paqen deri dhe në krye të OSBE-së apo në tryezën e Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kemi nderuar flamurin dhe kombin shqiptar. Një dekadë më parë ky vend ishte një ishull që dilte në radarin e botës vetëm për lajme të këqija dhe shqiptarët shihesin si përfaqësuesit e atij ishulli të veshur vetëm me të zeza. Sot ai ishull ku numëroheshin si turistë edhe deputetët dhe kryeministri sa herë ktheheshin nga jashtë shtetit, është një Shqipëri me 12 mln turistë. Kjo Shqipëri tjetër u ka hequr shqiptarëve sëkëlldinë e emrit që pas shumë vitesh nëpër rrugët Evropës e shqiptojnë sot me kokën lart në çdo gjuhë të evropës. Pikërisht sot kur bota është trazuar dhe paqja është vënë në një presion ng katër anët, Shqipëria ftohet nga Presidenti i SHBA-së për tu bërë anëtar i një mekanizmi ndërkombtar si Bordi i Paqes. Ky është një nder i veçantë, dhe një mundësi për të kontribuuar për paqen.