“Kemi ruajtur frymën e një Festivali Pranvere”, nga Ferdinand Deda te Elton Deda: Shumë i lumtur që është rikthyer për njerëzit

Plot me emocione nata e parë e Festivalit të Pranverës! Muzika bashkon kohët dhe dhuron spektakël, nostalgji e ritme.
Në skenën e madhe të TKOB, Bleona Qerreti i ka kushtuar disa çaste falënderimit të Orkestrës Simfonike të RTSH dhe drejtuesit të Bendit Elton Deda, i cili ka treguar të përbashkëtën e Festivalit të parë të Pranverës që është drejtuar nga babai i tij, i madhi Ferdinand Deda dhe aktualit. Vetëm 12 vjeç atëherë, po Elton Deda i mban mend mirë emocionet.
“Mbaj mend që babi ishte shumë i gëzuar, i emocionuar, që dëshironte shumë të kishte sukses dhe ai pati shumë sukses. Festivali i Pranverës ka qenë fantastik, ishte muzikë për të rinjtë, ishte muzikë ndryshe nga kornizat e kohës, nuk ishte si festivali i madh. Më vjen mirë që edhe në këtë festival kemi ruajtur atë lloj gjëje. Besoj që edhe publiku e kupton. Janë këngë më të çlirëta, më të lirshme, ashtu siç është dhe pranvera. E vetmja gjë që nuk e kam bërë tamam si babi këtë festival, është që ai rrinte në anën e majtë të skenës, unë kam dalë në anën e djathtë. Jam shumë i lumtur që jam këtu, jam shumë i lumtur që Festivali i Pranverës është rikthyer. Nuk është vetëm një aktivitet që i shtohet RTSH-së, janë këngë që i shtohen njerëzve. Muzika është për njerëzit dhe duhet ta shijojmë”, tha Elton Deda.