E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këngëtarja greke Marinella tur në Shqipëri në vitin 1976, Arkivi i Filmit sjell pamjet


TIRANË, 30 mars/ATSH/ Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përkujtoi sot artisten e madhe të muzikës greke, Marinella (Kyriaki Papadopoulou), e cila ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 87-vjeçare.

Në një postim në rrjetet sociale AQSHF ndau momente nga turi i këngëtares bashkë me ansamblin e saj në vitin 1976 në Shqipëri.

Sipas AQSHF, vizita dhe turi i tyre artistik në vendin tonë mbeten moment i veçantë i shkëmbimeve kulturore, në një kohë kur kontaktet ndërkombëtare ishin të rralla.

Me zërin e saj të fuqishëm dhe interpretimin plot ndjenjë, Marinella solli për publikun shqiptar një repertor që kapërcente kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë, duke dëshmuar se muzika mbetet një urë e fortë lidhjeje mes popujve.

AQSHF thekson se “teksa mësuam për ndarjen e saj nga jeta, e kujtojmë jo vetëm si një ikonë të muzikës greke, por edhe si një artiste që la gjurmë në historinë e kujtesës kulturore të Shqipërisë”.

Marinella ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 87-vjeçare duke lënë pas një vepër muzikore të paçmuar, pasi e ka gdhendur emrin e saj në historinë e këngës greke për afërsisht 70 vjet.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›