E Premte, 6 Nëntor 2026

Kërcënime me bomba në katër aeroplanë në Europë, disa ulje emergjente

Kërcënime me bomba në katër aeroplanë në

Katër kërcënime për bomba në avionë pasagjerësh janë regjistruar të martën, më 3 nëntor, në zona të ndryshme të Europës, duke vënë në lëvizje autoritetet dhe shkaktuar ndryshime në programin e fluturimeve. 

Incidentet u shënuan në Poloni, Spanjë dhe Bullgari, ndërsa avionët e përfshirë kishin nisur fluturimet nga Londra, Kopenhaga, Mançesteri dhe Izraeli. Sipas BBC-së, dy nga katër kërcënimet kishin të bënin me fluturime drejt Varshavës. 

Në rastin e parë, një avion me 181 persona në bord, i cili ishte nisur nga aeroporti Heathrow i Londrës drejt aeroportit “Shopen” në Varshavë, kreu një ulje emergjente në aeroportin Varshavë-Modlin. Pas uljes, avioni iu nënshtrua kontrolleve nga specialistët.

Fluturimi i dytë ishte nisur nga Kopenhaga dhe kishte gjithashtu si destinacion aeroportin “Shopen” në Varshavë. Sipas mediave daneze, pavarësisht kërcënimit për bombë, avioni u ul normalisht.

Në Spanjë, një avion i kompanisë Ryanair, i nisur nga Mançesteri, u detyrua të ulej në aeroportin e Murcias pas një kërcënimi të ngjashëm.

Sipas Francisco Lucas, përfaqësues i qeverisë spanjolle në rajonin e Murcias, në avion ndodheshin gjithsej 121 persona, përfshirë edhe anëtarët e ekuipazhit. 

Incidenti i katërt u regjistrua në Bullgari, ku një avion që kryente një fluturim nga Izraeli u ul në Sofje pas një kërcënimi për bombë të dërguar përmes postës elektronike. Sipas mediave lokale, kërcënimi rezultoi në fund një alarm i rremë.

Katër incidentet u regjistruan vetëm një ditë pas uljes së detyruar të një fluturimi të kompanisë Wizz Air, i nisur nga aeroporti Luton i Londrës drejt Budapestit, gjithashtu për shkak të një kërcënimi për bombë.

Avioni ishte shoqëruar drejt kryeqytetit hungarez nga një avion luftarak i Hungarisë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›