Kërcënoi gjyqtarët në media, arrestohet xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Policia e Shkodrës njoftoi sot se ka arrestuar xhaxhain e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, pasi kërcënoi në media përfaqësuesit e sistemit gjyqësor.
Policia bëri të ditur se “menjëherë pas deklaratave kanosëse të bëra në media nga shtetasi Gj. Sh., 49 vjeç, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Rajonale të Antiterrorit Shkodër dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, kapën dhe shoqëruan në komisariat 49-vjeçarin”.
Në vijim të veprimeve procedurale, të drejtuara nga Prokuroria e Shkodrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. Sh., 49 vjeç, banues në Shkodër.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”.
49-vjeçari tha sot para medieve se “ai gjyqtar që dënon nipin tim do të përballet me të njëjtën gjë, do të përballet me plumba, ka të njëjtin shpërblim”.
Një ditë më parë, gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me armë zjarri brenda sallës së gjyqit. Autori i ngjarjes, palë e dëmtuar në proces, u arrestua. Policia vuri në pranga edhe xhaxhain e tij si bashkëpunëtor, si dhe rojën e sigurisë në Gjykatën e Apelit për shpërdorim detyre.
/m.q/j.p/