Kërkesa e PD për shkarkimin e Peleshit, Shehaj: Seanca e sotme, farsë

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, në një deklaratë jashtë sallës së Parlamentit e ka quajtur seancën e sotme parlamentare një teatër dhe shfaqje të radhës së bashkëpunimit mes mazhorancës dhe Partisë Demokratike, për të ruajtur pushtetin e tyre. Agron Shehaj u shpreh se seanca plenare ku kërkohet shkarkimi i kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, është një farsë.
“Një farsë kur të hënën bien dakort pastaj thonë do takohemi do ndryshojmë së bashku Kushtetutën e sot bëjnë sikur zihen”, tha kreu i Mundësia.
Sipas Shehajt, Partisa Demokratike ka tradhtuar interesat e votuesve opozitarë, pasi është bërë bashkë me Partinë Socialiste për të çimentuar interesat e pushtetit, duke rënë dakort për ndryshimin e Kushtetutës dhe zhdukjen e partive të reja si alternativë për qytetarët.
“Tani tani janë bërë bashkë se kanë një interes të përbashkët: të mbajnë pushtetin që ata të dy të jenë e vetmja alternativë. Kjo po ndodh sot në Kuvend: teatri i radhës, shfaqja e radhës!”, tha ai.
/rtsh.al/