Kërkohen dhunuesit e avokatit, kontrolle në disa qytete për arrestimin e agresorëve

Ende nuk ka asnjë gjurmë nga tre personat e shpallur në kërkim nga policia për dhunimin brutal të avokatit Sokol Mëngjesi. Burime nga policia bëjnë me dije se kanë vijuar kontrollet pa ndërprerje për kapjen e të rinjve Drivald Alia, Elton Kasa dhe Romario Tabaku, por ende pa rezultat .
Kontrollet janë kryer jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, ku mendohet se ata janë fshehur. Sipas sistemit “Tims” agresorët rezultojnë të jenë brenda vendit, por kjo nuk e përjashton mundësinë që ata të kenë kaluar kufirin ilegalisht.
Nga ana tjetër burime pranë spitalit të traumës thanë se gjendja e avokatit vijon të jetë ende e njëjtë.
Ai ndodhet në intubim, por fatmirësisht edema që ka në një zonë të trurit nuk është zmadhuar, çka përjashton mundësinë për një ndërhyrje kirurgjikale.
Sokol Mëngjesi u dhunua me sende të forta në kokë në zonën e ish-bllokut, pak minuta pasi kishte lënë djalin e mitur në kopsht.
Porositësi i sulmit dyshohet të jetë Dritan Nano. Ky i fundit kishte refuzuar të shlyente detyrimet ndaj avokatit, edhe pse ky i fundit e kishte fituar procesin gjyqësor për një pronë të trashëguar.
Dritan Nano ka mohuar akuzat ,por dëshmia e të riut Dorjan Alia i cili u vetëdorëzua dhe pranoi krimin, zbuloi se ai së bashku me 3 të tjerë ishin porositur nga Nano për t’i dhënë një mesazh kërcënues avokatit. /vizionplus.tv