Këshilli bashkiak i Matit nderon Rasim Gjokën me titullin “Qytetar Nderi” pas vdekjes

TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Këshilli bashkiak i Matit i akordoi, pas vdekjes, titullin “Qytetar Nderi” Rasim Gjokës, për të nderuar dhe vlerësuar figurën e tij të shquar si intelektual, gazetar dhe njeri i përkushtuar ndaj dijes dhe zhvillimit të shoqërisë.
Ky vlerësim i jepet Gjokës për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si reporter i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), mësues në zonën e Matit, pedagog në Universitetin e Tiranës, dhe për rolin e tij kyç në krijimin e Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”, një iniciativë që synoi forcimin e shoqërisë civile dhe promovimin e dialogut shoqëror në vend.
Në një ceremoni të organizuar për nder të këtij titulli, intelektualë, deputetë, shkrimtarë, poetë, kolegë, familjarë dhe analistë ndanë kujtimet e tyre për jetën dhe veprën e Rasim Gjokës.
Kujtimet e ndara dëshmuan respektin e thellë që Rasim Gjoka gëzonte në qarqet intelektuale dhe publike të vendit, duke pasqyruar një trashëgimi të fortë që vazhdon të frymëzojë breza të rinj.
/r.e/