Këshilltarët e PL në bashkinë Tiranë: Të ndalohet dhënia e lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës ka kërkuar që të ndalohet dhënia e lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike.
Në një deklaratë për mediet nga anëtari i këshillit bashkiak në bashkinë Tiranës, Artan Distafa tha se në Tiranë “po zaptohet çdo hapësirë publike dhe sidomos të gjelbër me kulla monstruoze që ndërtohen pa asnjë kriter”.
Sipas tij “ky është jo vetëm një krim i tmerrshëm urban ndaj trashëgimisë historike e kulturore të kryeqytetit, por dhe simbol i qartë i keqpërdorimit kriminal të autoritetit shtetëror për pastrimin e parave të pista të korrupsionit dhe krimit ndërkombëtar në pallate ku nuk banon askush”.
Distafa tha se sot Tirana nuk ka më plan urban, por ka një plan për pastrimin e parave të pista.
Ai theksoi se grupi i këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës kërkon me vendosmëri “ndalim të menjëhershëm të dhënies së lejeve për kullat në zonat e banuara dhe historike; hetim të pavarur mbi vendimmarrjen e KKTU-së dhe lidhjet e mundshme me pastrimin e parave; transparencë të plotë për të gjitha projektet e miratuara dhe proces të detyrueshëm konsultimi publik; rikthim të pushtetit urban në duart e komunitetit dhe ekspertëve të pavarur”.
“Tirana nuk është lavatriçe për pastrimin e parave të pista, por u përket qytetarëve që meritojnë një qytet të denjë për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre”, tha Distafa.
/m.q/r.e/