Këto do të jenë masat e para që BE do t’i heqë Kosovës

PRISHTINË, 8 qershor /ATSH/ – Qeveria në detyrë është në pritje të Bashkimit Evropian që, në kuadër të heqjes graduale të masat, të fillojë me funksionimin dhe mbajtjen e takimeve të nënkomiteteve të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Kosovën, si dhe me projektet e asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, që prekin fusha si energjia, infrastruktura e të tjera.
Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe nga vetë Unioni Evropian për KosovaPress, por theksojnë se hapat e mëtejshëm për heqjen e plotë të masave do të varen, sipas tyre, nga një de-përshkallëzim i qëndrueshëm në veri të vendit.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë më 21 maj, bëri të ditur se kanë filluar gradualisht të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës.
Heqja graduale e masave është një lajm i mirë për Klisman Kadiun, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, i cili tregon për KosovaPress, se cilat do të jenë masat e para që do të hiqen. Megjithatë, ai shton se ato duhet të hiqen plotësisht sa më parë, pasi janë vendosur padrejtësisht.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në vitin 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit.
Ndërkohë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, deklaron për KosovaPress se Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapat e parë drejt heqjes së disa masave.
Ajo deklaron se hapat e mëtejshëm për heqjen e plotë të masave do të varen nga përparimi në terren në përputhje me pritshmëritë e BE-së për situatën në veri.
Në anën tjetër, njohësja e çështjeve të integrimeve evropiane dhe ish-diplomatja, Alma Lama, thotë për KosovaPress se ekziston vullneti i shumicës së vendeve anëtare të BE-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, mirëpo vendi duhet të lobojë intensivisht për largimin e tyre të plotë. Sipas saj, kriza politike aktuale mund të përbëjë pengesë për një gjë të tillë.
Javë më parë, edhe Parlamenti Evropian miratoi raportin për Kosovën, në të cilin, ndër të tjera, kërkohet edhe heqja e menjëhershme e masave ndëshkuese ndaj saj.
Në qershor të vitit të kaluar, ish-Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e masave ndaj Kosovës, por disa vende anëtare të BE-së mbetën skeptike për heqjen e plotë të tyre.
Në fund të muajit qershor bëhen dy vjet nga vendosja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe deri më tani është raportuar se vendi ka pësuar rreth 300 milionë euro dëme, për shkak të bllokimit të projekteve të ndryshme.
/Kosovapress/