“Kisha sistemin TIMS, kontrolloja gjithçka”, Erion Alibej: Nuk e harrova Suel Çelën! Pas vrasjes së familjarëve humba besimin tek institucionet e drejtësisë

“Informatorin tim më të besuar kam pasur Ardian Çollakun, tani është i ndjerë”, rrëfeu sot i penduari i drejtësisë Erion Alibej, i cili po dëshmon ë GJKKO në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.
Më 29 dhjetor 2018, në një atentat mafioz u ekzekutuan familjarët e Alibejt. Viktima mbetën Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk, Erdal Durunay.
Në këtë moment, Alibej rrëfen se vendosi të hakmerrej për vrasjen e familjarëve të tij. Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene, Alibej ka pasur qasje në sistemin TIMS dhe kontrollonte hyrjet dhe daljet e të gjithë personave që dëshironte.
Ai tregon se pas vrasjes së familjarëve e humbi besimin tek institucionet e drejtësisë në Elbasan dhe shton se po kërkonte vetë për autorët e “masakrës së Bradasheshit” duke bërë hetuesim gjyqtarin dhe prokurorin.
Alibej: Ardian Çollaku donte të lidhte kontakte. Prej tij unë kam marrë vesh për herë të parë se kush ishte Dashnor Dumani. Ai më tregoi se vëllai i tij kishte grabitur një kambist në lagjen Kala. Unë kisha sistemin TIMS që kontrolloja gjithçka doja. Të gjithë këta emrat nisa t’i identifiko j. I kisha me foto dhe gjithë hyrje-daljet e tyre. Të gjithë, nga Çopjat, Qosja, Dumani.
Po grumbulloja shumë informacion. Jo se po harroja Suel Çelën. Ai kujtonte se më kishte lënë në gjumë, por unë nuk kam fjetur asnjëherë të vetme. Madje, mendoj se unë e kam lënë Suel Çelën në gjumë. Unë po humbja besimin tek institucionet e drejtësisë në Elbasan.
Mësoj se Abedin Mama ka bërë një takim në Elbasan me Ardi Veliun dhe Tonin Vocajn. Kjo mu përputh edhe me ndërrimin e drejtorëve. E mora si informacion. Ndërkohë kërkoja për ekzekutorët e familjarëve të mi. E kam bërë vetë hetuesin, prokurorin, gjyqtarin. I kam vënë në dispozicion drejtësisë të gjitha informacionet e mia.
Pasi jam vetëdorëzuar, i pari që kam informuar ka qenë Leonard Palushi. Në paraburgim me vjen prokurori, që më akuzonte për Xhoni Rustën, Ridvan Suka. I tregova gjithë çfarë dija, pasi ai kishte edhe hetimin e vrasjes së familjarëve të mi. Unë nuk doja t’i hyja luftës, pasi kisha shumë familje që i kishin të gjithë sytë tek unë./vizionplus.tv