E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Aleanca mbron hapësirën shqiptare nga sulmet, rreziku për raketa nga Irani jashtë fokusit

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Deputeti Blendi Klosi, njëherësh sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, tha sot se Shqipëria nuk është e vetme përballë sulmeve, duke theksuar se vendi është pjesë e një aleance të gjerë ndërkombëtare.

Gjatë një interviste për mediet, i pyetur në lidhje me paralajmërimin e ambasadës amerikane në Tiranë se grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me SHBA ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri, Klosi tha se mund të jetë një thirrje “për të rindezur vëmendjen”.

Ai nënvizoi se angazhimi i Shqipërisë në aleancë, përfshirë mbështetjen ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sjell përfitime si në kohë të mira ashtu edhe në momente të vështira.

“Besoj se është një thirrje për të rindezur vëmendjen e opinionit, por padyshim Shqipëria është bërë pjesë e aleancës, është bërë pjesë e luftës, pjesë e mbështetjes së SHBA dhe kjo nuk është vetëm një drejtim, ne i mbështesim dhe nuk presim gjë. Padyshim qenia pjesë e një aleance do të thotë që të jesh në të mirë dhe në momente të vështira. Mendoj që bëhet për një rritje të vëmendjes lokale për sa i përket grupeve të lidhura”, tha Klosi për RTSH.

Duke folur për sigurinë kombëtare, Klosi theksoi se rreziku nga sulmet me raketa mbetet jashtë fokusit të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, ndërsa mbrojtja ajrore garantohet nga aleanca. Megjithatë, ai apeloi për rritjen e vëmendjes ndaj çështjeve të brendshme, veçanërisht në ruajtjen e tolerancës fetare dhe distancimin nga ekstremizmi.

“Goditja me raketa mendoj që është pothuaj jashtë harkut të Shqipërisë dhe besoj fort që aleanca hapësirën e ruan shumë mirë sepse ruan të gjithë hapësirën e vendeve të saj. Por duhet të kemi një vëmendje të theksuar dhe një thirrje të opinionit publik që momente të caktuara që kanë të bëjnë sidomos me tolerancën tonë fetare që ka Shqipëria nuk duhet marrë si një gjë që e kemi gjithmonë ato por duhet ta kultivojmë, duhet të kemi një shkëputje gjithmonë më të madhe nga ekstremizmi. Ambasada bashkëvepron me organet ligjzbatuese dhe të sigurisë kombëtare dhe informacionet në rast se do të ketë sigurisht që janë bërë pjesë e shkëmbimit me institucionet ligjzbatuese”, u shpreh Klosi.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›