E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: Asnjë problematikë në Shkodër nga reshjet, strukturat në gatishmëri

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, mori pjesë sot në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave në Bashkinë Shkodër, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci, prefektja e qarkut Holta Duda si dhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Koçiu theksoi se po vijohet me monitorimin e situatës dhe koordinimin e vazhdueshëm me drejtuesit e KESH sh.a për menaxhimin e shkarkimeve në hidrocentralet.

“Fatmirësisht, në Shkodër nuk ka asnjë problematikë, por të gjitha strukturat janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate të mundshme”, nënvizoi ministrja.

Prefektura e qarkut Shkodër bëri të ditur më herët sot, se nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e rezervuarit Shtodër.

Sipas prefekturës, nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir dhe Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga 5 pompa secili dhe janë në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë, në rast nevoje.

Po sipas prefekturës në kaskadën e Drinit, prurjet aktuale natyrore arrijnë vlerën 3500 m³/s, duke reflektuar një situatë hidrike të qëndrueshme.

1 nga 4

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›