Koçiu: Po punohet për kthimin në funksion të urës në Xhyrë, rrugë alternative në funksion

TIRANË, 21 nëntor/ATSH/ Reshjet intensive që kanë përfshirë zonën e Librazhdit kanë shkaktuar dëmtimin dhe bllokimin e urës që lidh fshatin Xhyrë me njësinë administrative Hotolisht. Dëmtimi ka penguar kalimin e automjeteve, duke e bërë të pamundur qarkullimin për arsye sigurie.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, mbërriti në Librazhd menjëherë pas raportimeve për dëmtimet, për të koordinuar aksionin në terren, së bashku me strukturat vendore, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe ekipet e Mbrojtjes Civile, me qëllim vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave të menjëhershme.
Për të siguruar kalimin e automjeteve dhe mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve, një rrugë alternative kalimi është vënë në përdorim deri në përfundimin e riparimeve të urës.
“Jemi angazhuar në terren me të gjitha forcat dhe strukturat e nevojshme për të rikthyer sa më shpejt qarkullimin dhe për të siguruar jetën e qytetarëve. Prioriteti është edhe përmirësimi i kushteve të qarkullimit, duke riparuar urën dhe duke siguruar një mbështetje të vazhdueshme për banorët e kësaj zone”, deklaroi ministrja Koçiu.
Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, forcat ushtarake dhe ekipet e Mbrojtjes Civile, po punohet për të minimizuar pasojat e përmbytjeve dhe për të restauruar infrastrukturën sa më shpejt që të jetë e mundur.
Sipas ministres Koçiu, puna do të vijojë 24/7 për të siguruar rikthimin e plotë të qarkullimit në këtë segment rrugor, ndërkohë që ekspertët po punojnë për të vlerësuar në detaje shkallën e dëmtimit të urës dhe mundësinë e rindërtimit të saj.
Ministria e Brendshme do të mbajë të informuar publikun dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për zonën e prekur nga ky dëmtim.
1 nga 8/a.f/r.e/