Koçiu: Qendra Shëndetësore Verore në Theth në gatishmëri çdo ditë për pushuesit vendas dhe të huaj

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Gjatë gjithë sezonit veror, turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas mund të marrin shërbim shëndetësor për çdo rast urgjence në 36 qendrat shëndetësore verore që janë në funksion të plotë 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se qendra shëndetësore verore në Theth ofron shërbim 24/7 për çdo rast urgjence shëndetësore.
“Në zemër të Thethit, aty ku natyra është magjike dhe ajri i pastër, ndodhet Qendra Shëndetësore Verore, në gatishmëri çdo ditë për pushuesit vendas dhe të huaj. Qendra është e pajisur për të përballuar urgjencat dhe ofron shërbim falas 24/7 gjatë gjithë sezonit veror”, shkruan Koçiu, në rrjetin social Facebook.
Koçiu nënvizon më tej se “në Theth, kujdesemi që pushimet tuaja të jenë të sigurta, të qeta dhe pa shqetësime”.
Infermierja e qendrës shëndetësore verore në Theth shprehet se “shërbimi është non stop 24 orë. Shërbimet që kryhen më së shumti janë, nga pickimet e gjarprit, pickimet nga insektet, matjet e tensionit”.
Qendrat shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025, për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.
/m.q//r.e/