Koçiu: Rritje të kapaciteteve në fushën e shërbimeve sociale

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se në forumin e profesionistëve sociale që po zhvillon punimet sot, po diskutohet nevoja për një rritje të burimeve dhe kapaciteteve në fushën e shërbimeve sociale.
Ajo thekson se “nevoja për profesionistë të trajnuar dhe punonjës të kualifikuar është më e madhe se kurrë, veçanërisht për mbështetjen e grupeve më vulnerabël.”
“Sot prezantojmë figura të reja profesionale, që përfshijnë punonjësit e kujdesit për të moshuarit, për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara, ndihmës personalë, operatorë social-shëndetësorë dhe familjet kujdestare pa lidhje gjaku”, tha Koçiu.
Eglantina Bajrami, drejtuese e organizatës “Autizmi flet”, njëherësh nënë e një djali me spektrin e autizmit, thotë se përvoja e saj jetësore e ka orientuar drejt nevojës për të përfshirë sa më shumë asistencë sociale në qendrën e saj, që ofrojnë shërbimin e duhur dhe të specializuar.
“Me gjithë këtë eksperiencë tonën, kemi kuptuar që edhe ne kemi nevojë të jetojmë, sepse jemi 24 orë në 24 me fëmijët tanë. Për këtë ka lindur nevoja e asistentit personal, i cili do konsistojë në orët që ne kemi nevojë të punojmë apo të bëjmë diçka tjetër për veten tonë”, thotë ajo.
Ferasete Boranji, operatore e ardhshme social-shëndetësore shton se personat me aftësi të kufizuara fizike dhe intelektuale hasen çdo ditë me problematika të mëdha që i tejkalojnë mundësitë e tyre. “Me mbështetjen e pakufizuar dhe trajtimin e duhur, ne bëjmë të mundur të zhvillojmë potencialin e tyre të plotë. Kështu ndërtojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse, që garanton të drejtat e individëve me aftësi të kufizuar”, shton ajo.
Përmes shërbimit direkt, por edhe njësive lëvizëse, shërbimet sociale dhe shëndetësore integrohen dhe ofrohen edhe në banesa, duke mbështetur familje në nevojë dhe fëmijë me aftësi të kufizuara. Ekipi i profesionistëve, përfshirë logopedistë, fizioterapistë, psikologë dhe punonjës socialë, është i përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e jetës së këtyre familjeve.
/e.i/a.f/