Koçiu paralajmëron rregulla të reja për monopatinat: Po përcaktojmë zonat e lejuara

Dy javë pas ndalimit të monopatinave elektrike, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, mblodhi në një tryezë diskutimi të gjithë institucionet që luajnë rol kyç në sigurinë rrugore.
Në një postim në rrjetet sociale, Koçiu theksoi se ndalimi i përkohshëm i monopatinave do të vijojë deri në krijimin e një kuadri të qartë ligjor që rregullon përdorimin e tyre. Ministrja shtoi se po hartohen rregulla të reja që do të përcaktojnë standardet teknike të mjeteve, rregullat e qarkullimit, zonat e lejuara, si dhe përgjegjësitë e institucioneve që do të sigurojnë zbatimin e ligjit.
“Pezullimi i lëvizjes me monopatina elektrike erdhi si një masë e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Qëllimi është normimi i lëvizjes së monopatinave në mënyrë të sigurt, të organizuar dhe në përputhje me jetën urbane moderne të qytetit”, shkroi Koçiu.
Vendimi për ndalimin e përkohshëm do të hiqet vetëm pasi të hartohen të gjitha rregullat për qarkullimin e monopatinave, duke synuar një përdorim të sigurt dhe të rregulluar ligjërisht të tyre në rrugët e qyteteve.