E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu për procesin në Hagë: Sado të përpiqen të baltosin luftën e një populli për liri, drita e atij agimi nuk mund të mbulohet kurrë

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar sot në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Koçiu shprehet se historia e luftës për liri nuk mund të rishkruhet dhe se katër ish-krerët e UÇK-së po përballen me atë që ajo e cilëson si “betejën e fundit” për mbrojtjen e dinjitetit kombëtar.

Ajo shton se, pavarësisht përpjekjeve për të denigruar luftën e popullit për liri, kontributi i saj nuk mund të fshihet.

“Askush nuk do ta rishkruajë dot historinë e lirisë sonë.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi sot kanë betejën e fundit për të mbrojtur dinjitetin e kombit tonë, përballë absurdit të barazimit të agresorit me çlirimtarin.

Sado të përpiqen të baltosin luftën e një populli për liri, drita e atij agimi nuk mund të mbulohet kurrë. Liria ka emër”, shkruan Kociu.


/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›