Kodi Penal represiv? Ja çfarë thotë Arben Rakipi, kryesues i grupit të punës

I ftuar në emisionit “3D” nga Alban Dudushi, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi theksoi se ndryshimet në Kodin e ri Penal nuk kanë përmirësuar thelbin e tij, por vetëm kanë cënuar strukturën.
Për Rakipin, nevoja për një Kod të ri Penal është bërë emergjente, pasi ndërhyrjet e shpeshta kanë krijuar mungesë koherence dhe vështirësi në zbatimin e ligjit.
“Kodi aktual penal është i vitit ’95 dhe i hartuar nga ekspertë të asaj kohe. Ai ka pasuar ndërhyrje të shumta ndër vite, të cilat nuk e kanë përmirësuar, por kanë shtuar në pjesën e posaçme të tij një numër të madh veprash penale. Këto kanë ardhur si rezultat i zhvillimeve shoqërore, detyrimeve ndërkombëtare dhe përshtatjes me konventa apo ligje të huaja. Këto nevoja emergjente janë pasqyruar shpesh në Kodin Penal. Që nga viti 1995 janë bërë mbi 40 ndryshime në të, të cilat, sikurse e theksova, nuk e kanë përmirësuar Kodin, por thjesht i kanë cenuar strukturën,” u shpreh Rakipi.
Rakipi, theksoi se humanizmi dhe proporcionaliteti i dënimit, janë themele të drejtësisë penale në një shtet demokratik dhe se çdo devijim prej tyre, për të mund të konsiderohet si prirje represive.
“Të thuash se Kodi është represiv do të thotë të dalësh përtej kufijve që ruajnë ekuilibrin mes drejtësisë dhe dënimit. Dy janë parimet themelore mbi të cilat mbështetet Kodi Penal: humanizmi dhe proporcionaliteti i dënimit. Këta janë elementë kushtetues dhe parimorë; çdo devijim prej tyre mund të konsiderohet si prirje represive,” deklaroi Rakipi.
/rtsh.al/