Kokainë shqiptare në Finlandë, shqiptarët trafikonin kanabis dhe ekstazi. 9 në pranga, dy në kërkim

Për herë të parë, bandat shqiptare kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike jashtë shtetit edhe me drogat sintetike.
Kështu njoftoi sot në një konferencë të përbashkët kreu i SPAK, Altin Dumani, i shoqëruar nga homologët finlandezë, pasi një rrjet i trafikut të drogës nga Shqipëria, Spanja e Holanda drejt Finlandës është goditur nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, pas një hetimi 2-vjeçar.
Procedimi penal u regjistrua në qershor 2023, pasi pala finlandeze sinjalizoi SPAK për aktivitetin masiv kriminal të disa shtetasve shqiptarë atje.
Bëhet fjalë për të paktën 4 grupe kriminale, krerët e të cilëve e drejtonin aktivitetin nga Shqipëria, që karakteristikë të veçantë kishin bashkëpunimin mes tyre për trafikun e drogës.
“Organizatorët apo krijuesit e grupit preferonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin aktivitetin kriminal. Sot gjykata ka lëshuar 11 masa sigurimi, të gjithë janë shtetas shqiptarë, 10 ishin në Shqipëri, një jo. Janë 54 persona të proceduar, shumica prej tyre të dënuar në Finlandë. Në Finlandë janë edhe shtetas finlandezë, jo vetëm shqiptarë. Edhe shtetësi të tjera. Ajo që ne si SPAK na ka bërë përshtypje është se në hetimet tona është hera e parë që shikojmë grupe kriminale që kanë në fokus edhe droga sintetike. Deri tani kemi parë se kryesisht grupet shqiptare janë pas kokainës, heroinës apo marihuanës e kanabisit. Sasitë janë të mëdha. Kemi kapur edhe ekstazi. Të gjithë e dimë rrezikun që paraqet për shëndetin e konsumatorit këto drogëra sintetike. Ky grup kriminal kishte një rrjet të tyre në Finlandë dhe në mënyrë periodike, herë pas here dërgonin nga Shqipëria përfaqësues të tyre që shkonin në bazat e përcaktuara dhe fillonin shitjen e lëndës narkotike”, tha Kreu i SPAK Altin Dumani.
Por cilat ishin rrugët që bandat ndiqnin për të transportuar sasitë e lëndëve narkotike dhe si komunikonin ato?
Hans Fagerstrom, prokuroria e Finlandës: Njëra nga rrugët ka qenë transportimi nga Hollanda në Finlandë me kamion me një shofer polak. Kjo është shumë e zakonshme në Finlandë, pra konsumimi i amfetaminës, dhe ka sens ky lloj trafikimi. Kurse kanabisi vinte nga Spanja në drejtim të Finlandës. Për sa i përket platformave të tyre të komunikimit, ato kanë qenë përmes “Telegram”, WhatsApp dhe “Signal”.
I pyetur se kush janë personat që SPAK ka marrë nën hetim, prokurori Alfred Shehu tha:
Dy nga krerët e HR kriminale janë me origjinë nga Vlora. Shqipëria është e vogël dhe ne nuk flasim pa baza. Pjesa tjetër në Kuçovë dhe Berat. Një pjesë e tyre me origjinë nga këto rrethe banojnë në Tiranë. Aktivitet të ligjshëm, kanë qenë qytetarë të lirë, se hetimet tona kanë qenë të fshehura, tha Prokurori Alfred Shehu.
Ndërsa prokurori finlandez vuri në dukje faktin se anëtarët e bandave shqiptare fshiheshin pas një pune të zakonshme atje.
Hans: “Shumica e këtyre shqiptarëve që kanë ardhur në Finlandë kanë pasur një punë atje, sa për të thënë, për mos të rënë në sy, pra një punë të ligjshme. Por, krah saj bënin këtë aktivitet. Por kemi kapur edhe raste të shqiptarëve të tjerë që vinin me avion, i prisnin anëtarë të këtyre grupeve kriminale dhe fillonin aktivitetin menjëherë”.
Në total, gjatë këtij hetimi është sekuestruar rreth 300 kg drogë, konkretisht 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis. Po ashtu janë sekuestruar 8 automjete, telefona celularë dhe shumë dokumente me vlerë për hetimin, dokumente në gjuhën finlandeze me të dhëna të rëndësishme për aktivitetin kriminal të personave dhe lëvizjen e parave. Pikërisht për paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal, paralelisht ka nisur një hetim pasuror për të 11 personat.
/vizionplus.tv