E Martë, 3 Nëntor 2026

Kombëtarja mbyll përgatitjet në Tiranë, të premten udhëton drejt Serbisë!

Kombëtarja shqiptare ka mbyllur këtë të enjte përgatitjet në tokën shqiptare për ndeshjen me Serbinë që zhvillohet të shtunën e 11 tetorit në Leskovac. Për të dytën ditë me radhë trajneri Sylvinho kishte në dispozicion grupin e plotë të lojtarëve të grumbulluar, ndërsa pjesë e stërvitjes ishte edhe futbollisti i talentuar i Teutës Xhoele Maçolli. 

Të premten Kombëtarja do të udhëtojë drejt Serbisë përmes një çarteri në Nish, ndërsa pasdite do të kryejë seancën e parë dhe të vetme stërvitore në tokën serbe. Gjithashtu po të premten trajneri Sylvinho, por edhe kapiteni i kombëtares do të dalin para mediave për sfidën që vulos fatet e kuqezinjve në lidhje me kualkfikimin në Botëror. 

Ndërkohë në Serbi frika për incidente është shumë e lartë edhe pse për këtë arsye ndeshja u spostua nga Beogradi në Leskovac. Presidenti i federatës serbe të futbollit, Dragan Xhajiç, është shprehur se po merret çdo masë e mundshme për të shmangur incidentet si në 2014, kur futbollistët shqiptarë u sulmuan fizikisht nga huliganët serbë në fushën e lojës. Sipas Xhajiç nëse një situatë e tillë do përsëritej atëherë sipas të gjitha gjasave Serbia do të pezullohej për disa vite nga UEFA dhe FIFA. 

Ai u ndal edhe në aspektin sportiv ku tha se Serbia ka grupin dhe elementë shumë kualitativ për ta fituar ndeshjen e 11 tetorit kundër Shqipërisë, por shtoi se kuqezinjtë janë gjithashtu një skuadër e fortë dhe me rezultate pozitive në vitet e fundit. 

UEFA ndërkohë ka përzgjedhur edhe arbitrat që do të gjykojnë ndeshjen, teksa do të jenë një 4-she nga Rumania me kryesor Istvan Kovacs. Ky i fundit ishte edhe arbitri i cili gjykoi finalen e Champions League të vitit të kaluar. Detaj që tregon për rëndësinë që ndeshja ka për UEFA-n.   

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›