Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi: Të rinjtë, aleatë në luftën kundër diskriminimit

TIRANË, 8 dhjetor/ATSH/ Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerëson të rinjtë si aleatë të rëndësishëm në luftën kundër pabarazisë dhe sjelljeve diskriminuese, ndërsa sot në vend shënohet Dita Kombëtare e Rinisë.
Komisioneri vlerëson se rinia ka një rol të pazëvendësueshëm në promovimin e tolerancës dhe ndërtimin e një shoqërie më të drejtë.
Megjithëse janë forca më dinamike e shoqërisë, sipas KMD-së, të rinjtë shpesh përballen me diskriminim për shkaqe të ndryshme, duke përfshirë gjininë, origjinën etnike, orientimin seksual, bindjet politike apo gjendjen shëndetësore.
Për këtë arsye, Komisioneri siguron se do të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Me një moshë mesatare të popullsisë 38 vjeç, Shqipëria mbetet një vend me potencial të madh rinor, ku fuqizimi i të rinjve lidhet ngushtë me përfshirjen e tyre në vendimmarrje dhe zhvillimin e aftësive.
/r.e/